Codice QR

Pasuria artistike » Novelli-të te hora e arbëreshëvet

Pietro Antonio Novelli (1568-1625)

Pietro Antonio Novelli leu më 1568 Murriall nga një familje çë vij nga Mesina. I jati, sa të ndihëj prirjen e tij artistike, ja truajti Nokolozëvet dhe mozaiçistëvet të Katedrales. Kur kish njëzet e dy vjeç shkoi Mesinë ku u përsos te arti piktorik. Me 1595 u bë kryemjeshtër i Katedrales së Murriallit e zografisi pikturat më të rëndësishme. Vepra e P. A, Novelli-t, megjithëse manieriste e pa kallëzuar frymëzime gjeniu të veçantë, paraqit korrektësi vizatimi e maturi kromatike. 

Vepra

Ndodhet vetëm nduhtë dokumentare e njëi kuadri çë më 2 xhunjet (korrik) 1603 P. A. Novelli do t’i ketë dorëzuar Pjetrit Borxha të Horës së Grekëvet. Më 26 xhunjet (korrik) 1604 me akt notari u dëtyrua të zografisëj katër kuadre, tre afreske e një të katërt me vaj, Gjusepit e Mikellit Matranga, rektorë e vëllazërisë së Shën Janit të të Varfërvet të Horës, te kapela me të njëjtin emër brënda klishës së Shën Gjergjit. Tre afresket u rrënuan me kapelen, ndërsa kuadri me vaj çë paraqit pagëzimin e Isuit (Pagëzimi i Krishtit te lumi Jordhan, vaj në pëlhurë, çm. 100 x çm. 72, te Kulexhi i Shën Merisë) vjen edhe sot nxjerrë te kroi i Tre Kanojvet, te qaca e sotme Vittorio Emanuele, për Ujët të Pagëzuam. Piktori murriallis zografisi edhe më 1612, me porosi të notarit Nikolo Dorangrikja, Vinçenco Karnesi, Françesko Matranga e Gjusepe Stassi, rektorë te klishës se Shen Mërisë se Dhitrjes, njetër kuadër (Shën Mëri me fëmijë në gji, vaj në pelhurë, çm. 178 x çm 120, te Klisha fshatare e Odhigjitrjes), edhe sot mbajtur mirë, çë paraqit një Shën Mëri mbi një arkë me krahëhapët si lutëse, në krye një kurorë mbajtur nga dy ëngjëj e në gji një fëmijë çë me të drejtën bekon sipas mënyrës greke ndërsa tek e shtrëmbra mban një rruzull.

Pietro Novelli (1603-1647) 

Giovan Pietro Novelli leu Murriall më 2 mars 1603 e atje shkoi djalërinë nën drejtimin e të jatit, Pietro Antonio.
Bërë pesembëdhjetë vjeç u vendos Palermë te piktori trapanis Vito Carrera e ish i shpisë me bujarin Carlo Ventimiglia, matematik të famshëm e mjeshtër liberal të lëndëvet shkencore. Këtu u bë i zot i perpsektivës e i strukturimit arkitektonik. Më 1623 u martua me palermitanen Costanza di Adamo. Te ky qëro përsosi formacionën e tij artistike nën ndikimin e tradicionës ujdhesare të shekullit XVI (Sirena, Albina, Salerno, Carrera, Novelli plak) e të ca mjeshtrave të huaj (De Wobrek, Fondulo, Paladino). Një shtytje themelore i jerdhi edhe nga studimi i vepravet lënë te ujdhesa nga Karavaxhi e, gjithegjithë, nga të jardhurit Palermë të Anton Van Dyck më 1624. Tue u nisur nga kjo datë u zhvillua glatë njëzet e dy vjet krijimi i tij artistik. Pas njëi dhromi Rromë e Napul më 1633 u pruar te Siçillja e, bërë artisti më i njohur e më i kërkuar, udhëtoi pa prëhje nga një anë e jetra e ujdhesës, tue këmbyer me radhë vepra të zografisura me vizatime për arkitekturë, fortifikime, argjendari, gjëra njëditore. Më 1636 Senati i Palermës i dha emërimin inxhinjeri dhe arkitekti. Prania e tij te Hora e Arbëreshëvet ndodhet dokumentuar te vitet 1641, 1644 e 1646. Më 1643 mëkëmbësi i mbretit Giovanni Alfonso Enqiquez e emëroi artitekt i Mbretërisë. Vdiq më 27 gusht 1647 përr shkak të njëi lavomje pësuar në ditët e mëparshme (22 gusht) glatë një kryengrëjtje të udhëhequr nga Gjusepe D’Alesi.
Formaciona kulturore e artistike e P. Novelli-t kle veçanërisht e shumanshme e tek ajo patën pjesë të gjitha rrymat piktorike të kohës, pikërisht piktura e Van Dyck-it. Novelli kle një te piktorët më përfaqësues të gjymsës së shekullit gjashtëqind e të kohës së tij zotëroi plotësisht të folmen shprehëse. Ë shërbes i pamundshëm të radhitet në periudha veprimi novellian në bazë të elementeve stilistikë të jashtëm. Megjithatë, te pranimi i tij të teknikavet të ndryshme, mënd të mbëshëngjohet kolorizmi pranveror i afreskevet nga ai vjeshtor i pëlhuravet të tija. Te piktura te muri, në krahasim me ato te pëlhura disa herë me shëng më natyralist (gjithegjithë te zografitë e te figurat të vetmuara të shejtravet), kallëzon interese më ilustrues, me theks morfologjik çë imiton klasikët me prirje drejt njëi thërrimje enfazë baroke. Te të sprasmet vepra mjetet shprehës duken bërë më të matur. Novelli qëndron i gjallë te veprat e tija më se te kulti i pasuesvet të rëndomtë ndër të çilët ata më të drejtpërdrejtit klenë të bijtë Pietro Antonio e gjithegjithë Rosalia.

Vepra

I Përjetshmi At pjesëmarrës i Ngjalljes së Krishtit dhe dëshmitë ungjillore e doktrinale të Klishëvet latine e greke, 1641-1644, afreske të absidës e të harkut triunfal, çm 680 x çm 610. Katedralja e Shën Mitrit.
Më 29 të otuvrit (tetorit) 1641, me akt notari, Pietro Novelli zotohej të “dipingiri a frisco la tribona della chiesa maggiore della terra della Piana giusta la forma del disegno”. Shërbëtyrët u përfunduan, thuajse tërësisht, më 29 të otuvrit (tetorit) 1643. Vitin pas u pruar për ca ndreqje. Te lugëza e absidës paratiti të Perjetshmin At, tek e drejta e të çilit rri arkengjëlli Mikell çë, veshur si luftëtar, mban me të shtrembrën një mburonjë çë ka shkruar fjalët Quis ut Deus. Te krahët e tij Urieli, ëngjelli ndriçues, vringellon një shpatë. Vjen pra Sealtieli në lutje e andaj Barakjeli, ëngjëlli i bekimit, çë rrok një skeptër. Te jetra anë, tek e shtrëmbra, Gavrili, ëngjelli “leçitës”, me tunikën e bardhë e te duart një xhill, simbol të dëlirësisë. Vjen pas Rafaeli, ëngjëlli i shërimit, paraqitur ndërsa i urdhëron Tobisë të zënj pishkun, çë do t’e bënjë pameta të shohënj. Pra Indieli, ëngjelli i lëvdisë. Te katrorët e poshtëm paraqiten apostojt dëshmitarë e përhapës të fjalës së Krishtit. Këto vigane figura pleqsh mbajën, nga njeri, emblemën e flijimit pësuar o simbolin e apostullimit çë shtjelloi. Ata janë sipas radhës, nga e shtrembra, Jani Ungjilltari, Judha Tadeu, Judha Iskarioti, Japku, Ndreu, Simoni thërritur Pjetër e i vëllai Pali, Japku më i Vogli, Bartolomeu, Thomasi, Flipi, Mateu. Te katrorët më të poshtëm se këta paraqitet Krishti i ngjallur çë ngjypet te qielli, bekon me të drejtën e valëvit, me të shtrëmbrën, flamurin e mundësisë. Te të dy anët paraqien katër Doktorët e Klishës greke: Shën Grigori, Shën Thanasi, Shën Vasiji, Shën Jani Gojarti. Te qiellza harku e absidës, Novelli zografisi tek e shtrëmbra Shën Janin Pagëzor, paradhromin e Krishtit; në qëndër Shpirtin Shejt (nën fytyrën e pallumbit), rrethuar nga hjerumvimët; tek e drejta Virgjëreshën e Papërlyer (me duart e bashkuara në gji) kurorëzuar me yj. Mbi harkun triunfal paraqiti, tek e shtrëmbra, Shën Kollin nga Bari çë mban mitrën e papës; tek e drejta, Shën Jani Damasken i çili mban një vellim hapur mbi të çilin ë gdhendur të zenit fill (incipit) të himnit kushtuar Shën Mërisë. Afresku u restaurua te të parat vjet ‘70 të shekullit të shkuar. Të Ngjallurit e Krishtit te dëshmitë e Atravet të Klishë perëndimore, 1644, afreske të qiellzës së kapelës të Stërshejtit Sagrament, te Katedralja e Shën Mitrit. Afresket, kryer te pak qëro nga Novelli, klenë porositur nga Paolina, e veja e klerikut Llorenci Peta, çë me dëshirë testamentare kish lypur të ish varrëzuar te kapela e Stërshejtit Sagrament. Me bashkëpunimin e Luigi-t di Geraci, Matteo Ferrea e Battista Serpotta, Pietro sosi shërbëtyrën, të zënë ndoshta më 23 xhunjet (korrik) 1644, te pak ditë. Te afresket, shumë më pak të rëndësishëm se ata të absidës më të madhe, paraqitet përposh harkut të kapelës pallumbi i Shpirtit Shejt, rrethuar si me një aureolë nga katërmbëdhjetë hjeruvim, ndajtur shtatë për çdo anë e te rrethi qëndror e qiellzës Krishti i ngjallur e ngadhënjimtar mbi mëkatën mortare. Nga e shtrëmbra tek e drejta paraqiten arkëngjëlli Mikell çë mban mburonjën e shtrëngon te dora një shpatë e, te tjerat tre hënëza, Shënt’ Ilari nga Poitiers, Shën Xhellormi e Shënt’ Agostini, teologët e frymës shpirtërore të të Ngjallurit të mishit.

Lajmërimi, 1646, afresk, çm 430 x çm230, te Klisha e së Lajmëruarës.

Afresku kle porositur Novelli-t më 1646 nga Thomasi Peta, benefiçial i klishës të së Stërshejtes së Lajmëruar. Edhe te ky “Lajmërim” figura fluoreshente e ëngjëllit punon si element katalizator e, njëkohesisht, si lidhje me të Përjetshmin At e Mëria. Ajo vjen paraqitur tek e sprasmja fazë e marrjes thelimë, ndërsa thërret Ja shërbëtorja e Perëndisë. Pak tjerë elemente plotësojën koreografinë: një shtëmbë me xhill, e kuqja glunjëtore tek e çila qaset e holla figurë e Vjrgjëreshës. Me 1972 afresku  kle vënë në restaurim, restaurim çë i nxori ripikturat e i dha zografisë harmoninë e akordevet kromatike.

Shën Gjergji në fulaqi, vaj në pelhurë, Klisha e Shën Gjergjit.

Vepra restauruar ka pak qëro kle caktuar artistit murriallis për monogramën G. P. N. çë shihet vagëllimthi poshtë tek e drejta e pikturës. Kuadri mënd të ish me të vërtetë një ndër të parat e Novelli-t, dora e të çilit kallëzohet te vizatimi i amurinëvet.

Shen Gjoni Abat, afresk, çm 185 x çm 120, te Klisha e Shën Gjergjit.

Ky afresk vjen nga klisha me të njejtin emër nga e çila kle hequr për shkak të lagështirës. Shejti ndjeket nga një derriçel i egër çë del jashtë nga një visore (panoramë) një thërrime e xheshur. Madhëria e figurës dhe kompozicjona kujton piktorin “pa buzëqeshje”. Vepra, çë vendoset rreth vitit 1644, nga shumë vetë ka klënë caktuar të dy Novelli-vet (at e bir) çë tek ai qëro shërbejën te Hora.

Projekt i klishës së Stërshejtes Mëri të Dhitrjes (1644)

Pas çë përfundoi afresket te klisha e Shën Mitrit te Hora e Arbëreshëvet, Paolina Peta i porositi Novelli-t kryerjen e njëi projekti në model druri për të stisur  klishën, model çë më 16 gusht 1644 kle sosur. Nga kavët e lagjes Sheshi kle nxjerrë guri të stisej ndërtesa, çë kle përmbushur nga mjeshtrit Giovanni Battista Serpotta, Leonardo Oddo e Matteo Ferrea. Më 1733 tipologjia fillimtare e brëndshme e klishës kle për një pjesë ndërruar për shkak se jui shtuan ndërtesat e Kulexhit të Shën Mërisë te ana. Te shekulli i shkuar, kur u përmbush rregullimi modern urbanistik, u ndërtuar shkalla e hyrjes së klishës, çë jep te qaca Vittorio Emanuele.