Codice QR

Pasuria artistike » Ikonat

Ikona (nga greqishtja: ει̉κών = shëmbëlltyrë) ë te të folurit të zakonshëm nje zografi mbi dërrasë o mbi njetër lëndë, çë paraqit përfytyrimin e Zotit Isu Krisht, të Mëmës së Perendisë, të Shejtravet o skena të gjellës së tyre. 
Ajo ngë ë një paraqitje e thjeshtë piktorike, por ë një vend i privilegjuar i  pranisë së shejte. Ë, si e përcaktojën theologët, një dritare mbi misterin, në gjëndje të bënjë sa i besmi të hynjë, me kundrimin, brënda përmasës së shpirtit e të japënj një përgjegje të plotë pyetjevet për besën e për vjemëthënjen e gjellës së të besmit, për vështirësitë e tija, për pësimet e tij, për vdekjen e për jetën e pasosme. 

I besmi çë vëhet të kundronjë përpara ikonës ë, vërtet, qellur të lidhet me shëmbëlltyrën o me misterin çë ajo paraqit. Vjen thërritur të japënj dëshmi (martyria) e të i glasënj (mimesis), vjemëthënë të dëshmonjë besën e të  i glasënj shëmbullit burimor. 
Ikona “ngë ka një realitet të vetë – pohon theologu Pavel Evdokimov – në vetëhe ngë ë gjë tjetër se një dërrasë. Ajo nxier gjithë vlerën e saj teofanike nga pjesëmarrja te jetra-gjë me të glarit, ngë mënd të mbyllet në vetvete, por bëhet si një skemë rrezatimi”.

Ndërsa teknika ikonografike lidhet me atë të dërrasavet egjiptiane përpara Krishtit, tematika e saj, ndryshe, lehet te të parët shekuj të Krështërimit, tuke u bërë ashtù arti i Klishës së pandarë, andaj një art ekumenik për klishët e kohës sonë, mjerisht të ndajtura nga shekuj. Ë një art drejt të çilit sot të gjithë të krështerët, të çdo skomollije, ka të vërejën, jo sigurisht për të kopjuar mekanikisht njësinë e njëi epoke nani të perënduar, por për të ndelguar e për të rruar pameta në menyre të re e vetjake, arsyet e njësisë çë bëri sa të lehej Europa, njësi çë gjen kliçin e saj të qiellzës te shejtëria e te besa.

Ikona sot ndodhet në dy rrëziqe të rëndë: ai të bëhet vetëm një send arti e jo parkalesije e kundrimi për të çilët leu, e ai të bëhet objekt spekulimi nga ana e tregtarëvet të artit e të të vetethërriturvet ikonografë çë për arsye të shituri ngë dyshojën të vënë në tregti vepra jo autentike, pa shijë estetike e të punuara shumë  keq. 
Teknika e ikonës ë e ndërliksur e një thërrime e vështirë, ajo lyp, nga ana e ikonografit, një njohje të madhe të lëndës vënë nën punim (të dërrasës, isit, kolëvet kafshje, pigmentevet) e të frymës shpirtërore çë lind ikonën vetë, si edhe simbolizmin e paraqitjevet, bashkimet gjeometrikë e vjemëthënja e ngjyravet e të arit.

Ikona ka si bazë një dërrasë të stinuar mbi të çilën vijën shtruar, veç se një pelhurë, shtresa të holla isi përzier me kolë kafshje. Kjo shtresë isi, një herë çë teret, vjen gdhendur sipas vizatimit çë duhet kryer, andaj praruar e më vonë zografisur me teknikën thërritur dritësim çë përbëhet nga mbivendosja e disa ngjyrave, tue u nisur nga ai më i errët tek ai më i çelët. Ngjyrat, marrë nga botët e nga oksidimi i metalevet, përzihen në emulsion me tempera veje.

Ikona, kryer ashtù, përfaqëson të vërtetat e ndrytura nga brënda; drita ngë vjen nga një burim i jashtëm, ajo buron nga të klënit pështjellë me ar çë kallëzon të klënit të perëndishëm çë pështron e shpërfytyron vetë të vërtetat.
“Çdo paraqitje mblen – pohon P.A. Florenskij – sipër njëi dejti lumturije të artë, larë nga valët e dritës së perëndishme”. 
Ngjyrat kanë një simbolizëm të lidhur me paraqitjen e njerëzisë o të hyjnisë, të errësiravet o të dritës, të misterit apofatik o katafatik vjemëthënë të pashpjegueshëm o të zbëluar. 

Çdo ngjyrë, andaj, përdoret sipas vlerës së saj trashendente e jo sipas ëndës së artistit. Do të kemi, ashtù, se Krishti do të paraqitet gjithmonë me kitonin (tunikën) e kuq-purpur, çë simbolizon hyjninë e tij, e mantelin blu-të-gjelbër sa të simbolizonjë njerëzinë e tij. Ikona ashtù paraqit Krishtin Perëndi çë mori njerëzinë tënë, e kjo, megjithëse pështron të vërtetën e perëndishme, si një mantel, lë ngaherë të duket hyjnia e Fjalës, te veprimet e Krishtit Njeri, si pikërisht, manteli, megjithëse pështron tunikën, lë ngaherë të shihet një kind i tunikës së përposhme. 

Ndëvonë ikona ndryshon për perspektivën e kundërt, vjemëthënë për mungesën e atyre mjeteve teknikë çë i japjën skenës së paraqitur, me ndihmën e vijavet prospektike, idenë e humbjes hapësinore. 
Te ikona vijat fuqije daljën nga brënda jashtë, tuke dhënë një farë iluzionje optike çë hedh gjithqish drejt spektatorit. Jipet kështu ideja se ngjarja e paraqitur e personazhet, çë logjikisht ki’ t’ rrijën në plan të dytë, rrinë të gjithë në të njëjtin plan, tuke dhënë iluzionën se duan te daljën nga kjo dritare ideale hapur mbi jetën shpirtërore sa të japënj mbarim χρόνος-it (qëroit) të jetës e fillim καιρός-it (çastit) të përjetësisë.

Ikonat e Horës së Arbëreshëvet

Pasuria ikonografike e eparhisë së Horës së Arbëreshëvet ë një nga thesaret e artit e të frymës shpirtërore bizantine çë qosjën Siçilljen nga të zënit të shekullit XVII. Veprat çë mënd të kundrohen te klishët e Horës, ngë janë të gjitha krijim të vendit. Pjesa më e madhe e tyre kle qellur te klisha e Shën Kollit, nga klisha me të njëjtin emër të Palermës, pas rrëzimit të saj glatë luftës së dytë botërore.

“Korpusi” piktorik ë sot ruajtur te ikonostasi i klishës së thënë e te salla e thronit të Episkopit të Horës. Dy ikona tjera, ndryshe, ndodhen pranë muzeut të vogël të monkavet kolegjine, e një, Odhigjitrja klasike te kapela e Seminarit të dioqezës.

Studiuesit, pas restaurimevet e spastrimevet të të rëndavet zografi të shekullit të tetëmbëdhjetë, kanë supozuar, si seli e pjesës më të madhe të krijimit artistik të tyre, manastirin e Munzifsit, e ierokallogjerin Joannikios si më i madhi piktor ikonash atje veprues. 

Të atij ruhen te Klisha e Shën Kollit: Shën Kolli në katedër, seria Atrat e Klishës e Krishti më i madhi prift e mbret i mbretravet. Bëhet fjalë për vepra të së parës periudhë piktorike të ikonografit, të periudhës djaloshare, karakterizuar nga “plane një thërrime të thatë e të sheshtë të ndërtesavet të tij, karakterizuar nga një koherente mundësi elastike, thuajse agresive. Të lartësuara te monumentaliteti këto çilësi paraqitjën një ikonografi me fuqi të veçantë” (J. Lindsay Opie). 
Në fazën e pjekurisë, ndryshe, stili qëndron i fuqishëm e monumental, “por punimi lirohet. 

Penelatat bëhen më të gjera e të holla, vizatimi më i përmbledhur e i ravijëzuar. Ngjyrat kallëzohen me rezistencë të pakët ndërsa të lyemet ngushtohen e ashpërohen te parapëlqimi për tonalitetet e ftohtë e të çmueshëm.” (Idem) si mënd të shihet te Odhigjitrja ruajtur te kapela e Semirarit. 
Joannikios ngë ë i vetmi zograf të të çilit ruhen veprat. Te Hora mënd të kundrohen ikona të paktën të tre tjerë ikonografë: Mjeshtri i Ravda-vet, Mjeshtri i Shën Ndreut e Mjeshtri i Deisis; megjithëse ngë duket se ky i sprasmi të ketë shërbyer te Siçillja.

Bëhet fjalë thomse për një ikonograf kretes veprat e të çilit klenë më vonë importuar Palermë e nga aty te Hora. Të Mjeshtrit i Ravda-vet mënd të kundrohen edhe, te Klisha e Shën Kollit, Shën Jani Pradhrom, paraqitur me krahë engjëlli (lajmëtar) sepse leçit të jardhurit e Krishtit, tue thërritur njerëzit për shndërrim, e dy ikonat ndanëz kryqes: Mëma e Dhëmbur e Perëndisë e Shën Jani ungjilltar. 

Shërbesi çë karkterizon dy ikonat ë një ngjyrosje e thjeshtësuar e një i fortë theks ekspresionistik, por edhe një modelim i përsosur dhe ngjyra më të çmuara.
Të Mjshtrit të Shën Ndreut mënd te kundrohet, ndryshe, Seria e dymbëdhjetë Apostojvet, vënë lart te ikonostasi. Karakteristika e këtyre, si e tjeravet ikona të Mjeshtrit, ë punimi i sigurt i figuravet me ngjyra të matura e i fuqishmi stil piktorik i tyre edhe të shekullit XVI. 

Megjithatë ata ngë janë të vetmit ikonografë. Ndodhen, edhe, një ikonë e nënshkruar nga një Katerina e Kandjes e tjera të të çilavet ngë dihet autori, por të gjitha çë i përkojën ëndës së mirë të artit e frymës shpirtërore të zakonës bizantine. Me këtë lidhen piktorët e ikonavet të shekulli XX, vepra e të çilëvet mënd të shihen te katedralja e Shën Mitrit e te klisha e Shën Gjergjit dëshmor. 

Ikonografët e ditëvet tona, me veprat e tyre, dëshmojën se qëroi i ikonografisë ngë ka sosur, por, përkundrazi, mban të gjallë e të vazhdueshme një zakonë çë, në ndëlgohet e interpretohet mirë, ka fuqinë të paraqitënj pameta ato vlera të artit e të frymës shpirtërore, çë ngë perëndojën, ngase janë shprehje të prekshme të një realiteti të gjallë klishtar e shoqëror, çë Eparhia e Horës së Arbereshëvet përfaqëson si një “unicum” te Siçillja e te jeta.