Përshkrim i shkurtur historik e letrar » Klisha katholiko-bizantine e ritet e saj

Riti ë mënyra çë vendos një klishë te të plotësuarit shërbimet të shejtë. Prejardhja shumë e vjetër e ritevet dhe zhvillimi i tyre, ashtù i ndërtuar e i ndërlikuar, krijuan, në Lindje e në Perëndim, një përbërje e një evolucjonë lidhur me zakonat kulturore të posaçme të çdo klishje.

Klisha katholiko-bizantine, të së çilës bëjën pjesë arbëreshët, ë një bashkësi e krështerë çë, lidhur sipas dogmës me klishën romane, ndjek një rit e një dishiplinë klishtare greko-orthodhokse. Arbëreshët vijën nga ata të jikur shqiptarë çë, qëndruar te Siçillja e te Kalavria në shekujt XV e XVI, klenë pritur nga ipeshkëvët e kohës me nderim të veçorivet e tyre rituale. Pjesa më e madhe e bashkësivet, lerë kështu në trevën siçilljane (Hora e Arbëreshëvet, Pallaci Adrian, Munxifsi e Kuntisa), kanë mbajtur ngjer më sot, bashkë me gluhën e kostumet, zakonat liturgjike bizantine. 

Nga viti 1937 kleri i këtyre bashkësive bën pjesë të njëi Eparhije mbajtur nga një Eparh i çili, i emëruar nga Selia Papale, ka dinjitet ipeshkvi. Te shërbesat më të mëdha vesh paramente çë janë gjithnjë me ata të ipeshkvet orthodhoksë, si mbulesa krei tipike (mitra) e shkopi baritor (ravdhes) me në majë dy krera gjalpri të kundërvëna, shëng i urtësisë ungjillore. Prifrat (papas) qelljën mbulesën krei tipike si çilindër i zi (kalimafion) e, zakonisht, mjekrën e glatë.

Te riti bizantin ndërron shërbimi i Meshës, thërritur Liturgji Hyjnore (formularet kanë burim nga Shën Jani Gojartë e nga Shën Vasiji i Math), dhënja e Sakramentevet, vjershi të thuhen Orët e gjithegjithë funksionët e Javës së Madhe. Shërbimet hyjnorë janë më të glatë e të madhërishëm; me këndimin e psalmevet shkëmbehet me radhë të zgledhurit të glatë të pjesëvet biblike; me të rrijturit shtuara shkëmbehen përuljet e thella; me ngjyemet e arta të stolivet, ato të kuqe e manushaqje; me muzikët e gëzuara, ato të zymta e solemne.

Në këtë kontekst madhështorë, gjithqish ka vjemëthënie: lëvizjet, këndimet, proçesjonët, lulet, aromët, livanet.
Pashkët janë ngjarja më e madhe e kalendarit bizantin. Tek ato, me të vërtetë, gjen përligjë gjithë ligjërata eskatologjike e çdo arsye shpresje, si këndon i famshi himn “Kristos anesti”: “Krishti u ngjall së vdekurish, me vdekjen vdekjen ndridhi e të vdekurvet te varret i bë hir të gjellës”. Java e Pashkëvet ë plot me ngjarje liturgjike çë mbahen të shumtat te katedralja e Shën Mitrit në mënyrë madhështore e me pjesëmarrjen e Eparhut. Shërbesat e shejte, veç pontifikalevet, kujtojën ngjarjet themelore të vdekjes e të ngjalljes së Krishtit.

Te nata në mes të prëmtjes e të shtunjës të mëparshme se Javës së Madhe, kujtohet të ngjallurit e Lazërit, shëng i të ngajllurit të përbashkët të njerëzvet. Sosur Projasmena (Mesha e të parashejtëruarvet) të prëmten mbrëmanet, në kujtim të ngjarjes ungjillore, të besmit këndojën Këngën e Lazërit, e, pra tufa kopijsh, të udhëhequr nga një papas glatë udhëvet e horës e përpara dyervet të shpivet, këndojën atë këngë çë mbyll notat me lypjen e hapur të kenë si shpërblim ca ve. Tek e Diellja e Romollidhevet, te klisha e Shën Kollit, mbahet riti i bekimit të pallmjevet e të degëvet ulliri, çë u dhurohen të besmëvet. Eparhu, veshur me mëntin (mandías), bën, kaluar gajdhurit, kursin kryesor të horës e vete drejt katedrales, tue përkujtuar të hyjturit e Isuit në Jerosolim.

Tek e Intja e madhe kujtohet darka e sprasme e pikërisht momenti kur (sipas vangjejit të Shën Janit) Krishti, personifikuar nga Eparhu, nxier paramente të qosmë e vete i lan këmbët apostojvet, përsonifikuar nga bashkëmeshtarët. Kjo shërbesë e shejte ë patjetër plot me magjepsje, por ritet e të Prëmtes së Madhe,  gjithegjithë, ata mbrëmësorë, çë kremtojën  Kristin vdekur, janë te më të ndierit e të mallëngjyemit. 

Te gjymsëdrita e katedrales, varri i Krishtit vdekur mbjedh vajtimet çë të besmit e prifrat këndojën ngjer te nata e thellë. Glatë kalimit të Varrit (Epitafjos) ngrëhen këngë të përmotshme plot me poezi të lartë e mgashërim të mallëngjyem (enkomje te vajtimet), shoqëruar nga të rrahurit veglash të posaçme druri, me origjinë bizantine, thërritur çokë e çikarra, në vend të tingujvet të kambanëvet çë, nga e intja menatë ngjer tek e shtunja për mesditë, ngë i bien se janë “të lidhura”. 

Te shërbesat e shejte të të Shtunjës së Madhe, lypi i ditës më parë i lë vendin himnevet të shpresës e të lutjes Krishtit Perëndi sa i ngjallur të shpëtonj jetën. Te kjo ditë te katedralja, plot me fletë dhafnje të shprishura, bëhen pagëzimet e për mesditë kambanët i bien pameta e te gjithë shpitë dhizet livani sa të mbahet llargu të ligtë. Mbyll e shejtëron ditën shërbesa e të Ngjallurit. Pak më parë se mesnata te katedralja gjindja me qetësi pret momentin kur ipeshkvi ka të rrahënj nga jashtë tri herë te dera e madhe e klishës, e si zbyllet, ka të këndohet “Krishti u ngjall” (Christos anesti), himni i të Ngjallurit. 

E Diellja e Pashkëvet ka në qëndër Pontifikalin madhështor, shërbesa bestare me më magjepsje të gjithë vitit liturgjik, tek e çila fuqia e lutjevet, harmonia e këndimevet e shkelqimi i paramentevet krijojën çaste bukurije dhe frymje shpirtërore të ndezura. Si sos shërbesa e shejte zë fill nga katedralja parakalimi i zakonshëm i gravet me kostumin arbëresh ngjer te sheshi kryesor ku bekohen vete e kuqe çë pra dhurohen, shëng i çiklit të gjellës e i përjetësisë.

Pashkët përcaktojën kalendarin liturgjik: Kreshmët, e Diellja e Rrombollidhevet, të Hypurit në qiell, e Diellja e Pendekostes, Krishtlindja e Ujët të pagëzuam, thërritur Theofania, vjemëthënë të dëftuarit e Perëndisë te lumi Jordan. Ditën e Ujit të pagëzuam, pas Pontifikalit solemn, Eparhu, priftëria e të besmit venë në proçesion te kroi i Tre Kanojvet te sheshi kryesor e, tue kënduar Në Jordan, përkujtojën zdrypjen e Shpirtit Shejt mbi Krishtin pas pagëzimit. Ipeshkvi hyn te ujët të bekuar të kroit një kryqe të gdhendur te druri e triqerin, ndërsa nga kulmi i klishës së Odhigjitries, lënë të zdrypet një pallumb i bardhë. 

Te klishët bizantine, e të Horës e të tjeravet horë arbëreshe, ndodhen disa karakteristika stilistiko-arkitektonike për të çilat vlen të spëndohen dy fjalë. Ndërtesat klenë stisur në menyrë se therorja jep në lindje. Therorja, katrore sa të dëftonjë përsosurinë e Krishtit të të çilit ë shëmbëlltyrë, ndodhet vënë te një vend zakonisht gjymsërrethor, thërritur absidë o hjerore, ndajtur nga pjesa tjetër e anijatës nga një midhjënt druri (ikonostasi) plot me ikona, vjemëthënë piktura të shejta, të vendosura sipas normavet të përcaktuara shpirtërore e teologjike.

Tek e drejta të atij çë vren ikonostasin, ndodhet ikona e Krishtit me te ana Janin Pagëzor (Dhjata e Vjetër); tek e shtrëmbra ikona e Mëmës së t’yn Zoti (Dhjata e Re), me te ana ikonën e Shejtit kujt kle kushtuar klisha.
Sipër këtyre ikonave kryesore ndodhen vendosur ato të të kremtevet kryesore të klishës bizantine, ato të apostojvet, të të sprasmes darkë e të vënies në kryqe.    

Mesha, çë ndryshon shumë nga ajo e ritit latin, ka të njëjtit momente liturgjikë thelbësorë: hyrja, zgledhja e Fjalës së Perëndisë, mblatimi, kushtimi e kungimi. Por ndërron struktura: Kungata bëhet me bukën e ardhur e me verën dhe kumgimi u jipet të besmëvet me të dy llojetë. Këndimet, zakonisht, ngë vijën shoqëruar nga vegla muzikore. Pagëzimi, te bizantino-katholikët, jipet me të zhyturit në ujë. Kurmi i të pagëzuarit, xheshur e lyer me vaj të bekuam, vjen zhytur tri herë te ujët e pagëzimit. Fill pas i pagëzuami merr krezmimin e kungimin. 

Riti i Kurorës, shumë i pasur e i nyjëzuar, ka përmbajtje të forta mistagogjike e, ngase bërë me kostumin tradicional, ka lidhje të gjalla e interesante me folklorin. 

Dhëndri e nusja hyjën te klisha me një qëri dhezur, shëngu i besës, e marrjën unazën e martesës si peng besnikërije te gjella martesore. Bëhet pra shugurimi i çiftit, mbi të çilin prifti shtron një shqep, çë, tue e mbështjellë, kallëzon bekimin e Shpirtit Shejt. Mbi kryet e nuses e të dhëndrit pra vëhen dy kurora dhafnje, çë përfytyrojën përsosurinë dhe përlëvdinë e ndërsjellë. Pas kurorëzimit prifti dhuron të sapomartuarvet ca bukë e ca verë brënda njëi qelqi, çë pra vjen çarë të simbolizonjë pazglidhshmërinë e martesës. 

Njetër veçori e martesës është shërbesi se priftrat, por vetëm më parë se shugurimi dhjakëri, mënd të martohen e pra mënd të marrjën urdhërit. 
Monkat (murgeshat) kolegjine të Familjes së Shejte, ndryshe, më parë se të kushtoheshin, hyjën te klisha veshur nuse. Në të mbyllurit e shërbesës shejte, mirrjën vestën bestare çë vishjën te vendi i vestës nusërore sa të simbolizojën ashtù të braktisurit përgjithomnë të jetës së shekullit.